Takimi në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike
Objektivi: Viti 2024 – 0 (zero) kultivim të bimëve narkotike për Qarkun Gjirokastër!
Sot, më datë 13.3.2024, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Gjirokastër z. Odise Kote, në kuadër të intensifikimit të masave dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në Strategjinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025, , u zhvillua takimi i Grupit të Monitorimit për bashkërendimin e veprimtarisë institucionale në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike mes drejtuesve të pushtetit vendor, të degëve territoriale, të drejtorisë së policisë vendore, të kufirit e emigracionit, të shërbimit informativ etj.
Prefekti i Qarkut bëri një përshkrim të punës që është bërë deri më tani në drejtim të parandalimit, ndërgjegjësimit dhe kontrollit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit. Prefekti Kote, vuri theksin te nevoja për bashkëpunim dhe koordinim, ku reagimi institucional të përqendrohet në parandalimin e fenomenit, pasi goditja e hershme e dukurisë, siguron rezultate të dukshme dhe të shpejta, duke mos lejuar përhapjen e tij në territor. Një qasje e tillë kursen kohën, parandalon, kriminalizimin e qytetarëve që përfshihen në procesin e kultivimit.
Kontrolli i territorit është një përgjegjësi konkrete e të gjithë faktorëve që veprojnë në terren për të ushtruar kompetencën dhe përgjegjësinë për zbatimin e ligjit. Lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike është një detyrë gjithëpërfshirëse, jo vetëm e Policisë së Shtetit, por e çdo institucioni, drejtorie, shoqërisë civile dhe komunitetit.
Në këtë takim u miratua Plani i Veprimit të Prefektit të Qarkut për vitin 2024, hartuar në bashkëpunim me DVP ku përfshihen të gjitha Bashkitë në Qark, ZVA-të, Degët territoriale, media, komuniteti e shoqëria civile.
Në përfundim, Prefekti Kote kërkoi nga të gjithë institucionet përmbushjen e detyrimit ligjor në drejtim të shkëmbimit të informacioneve dhe kontrollit të territorit duke ushtruar kompetencat ligjore për përmbushjen me sukses të këtij prioriteti kombëtar kaq të rëndësishëm.
Gjithashtu, Prefekti si kryetar i Grupit të Monitorimit u kërkoi të gjithë anëtarëve bashkëpunim e bashkërendim, një ritëm të lartë pune dhe kontrollesh në terren duke shfrytëzuar të gjithë sistemet e informacionit të cilat do bëjnë të mundur një kontroll të plotë e një monitorim rigoroz të territorit.