Analiza vjetore e punës së institucionit
Prefektura e Qarkut Gjirokastër zhvilloi sot analizën vjetore të punës për vitin 2023, një vit me arritje dhe objektiva të realizuara për Prefekturën Gjirokastër!
Analiza vjetore e Prefekturës së Qarkut Gjirokastër u zhvillua me pjesëmarrjen e Zv/Ministrit të Brendshëm Andi Mahila, Drejtorit tê përgjithshëm Alban Laska dhe Drejtorit të politikave për çështjet vendore Arben Xhaferi.
Viti 2023, për Prefekturën e Qarkut Gjirokastër, cilësohet si viti i arritjeve dhe investimeve të rëndësishme, i standartit të lartë të sigurisë publike, bashkëpunim – bashkërendimit funksional me gjithë institucionet, kontrollit të detajuar të territorit dhe zbatimit rigoroz të ligjit.
Gjatë vitit 2023 “Siguria publike në shkolla”, Turizmi e Task – Forca vepruese, kontrolli i territorit, investimet, zvogëlimi i riskut të emergjencave civile përmes një pune të mirëorganizuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës private e publike, Parku Kombëtar “Lugina e Lumit Vjosa”, Aksioni Kombëtar i Pastrimit të territorit, nxitja dhe konkretizimi i nismave të pjesëmarrjes së komunitetit në punët e dobishme të bashkive, kanë qënë dhe do të jenë edhe për vitin 2024, kryefjalë e punës së përditshme.
Mirëfunksionimi efikas i komiteteve dhe komisioneve të ngritura për çështjet e mbrojtjes civile, zonave të mbrojtura, të turizmit, luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe bimëve narkotike, kanë dhënë frutet e tyre për realizimin e programit qeveritar në qark.
Qytetari është i pari” – udhëhequr prej këtij motivi Prefekti i Qarkut e ka pjesë të punës së përditshme kontaktet me qytetarët, pritjen në çdo kohë të tyre si dhe ka realizuar çdo javë e muaj, në mënyrë periodike, takime direkte me qytetarë, kryepleq të fshatrave, drejtues të Nj. Administrative e drejtues vendor.
Kontrolli ligjor mbi të gjithë territorin gjatë vitit 2023 ka qënë fokus e prioritet i rëndësishëm për një qeverisje të drejtë e të mirë, për zbatueshmërinë e ligjit, parandalimin e fenomeneve, ngjarjeve, luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, trafikut njerëzor, ruajtjen e pasurisë publike e private, ruajtjen e pyjeve – kullotave, pasurisë ujore, siteve arkeologjike, monumenteve natyrore etj.
Zv/ministri i brendshëm Andi Mahila pasi ka vlerësuar arritjet ka theksuar se objektivat e vitit 2024 kërkojnë një qasje të re, profesionalizëm e përkushtim për përballuar sfidat e standarteve të Bashkimit Europian.