Takimi i Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Odise Kote zhvilloi ditën e sotme takimin e parë të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit për vitin 2024 në kuadër të analizimit të ecurisë së sezonit turistik 2023 dhe problematikat e hasura gjatë kësaj periudhe.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të fushës së turizmit të bashkive respektive në qark, drejtues të institucioneve shtetërore në nivel vendor si dhe operatorë turistikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarkun Gjirokastër.
Fokusi i takimit ishte diskutimi i çështjeve lidhur me ecurinë e sezonit turistik 2023, problematikat e hasura përgjatë vitit 2023 si dhe prezantimin e planit të masave të hartuar për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik 2024.
Në fjalën e tij, Prefekti i qarkut bëri një përmbledhje në lidhje me arritjet e vitit të kaluar, punën e bërë nga Task-Forca Ndërinstitucionale për mbarëvajtjen e sezonit turistik si dhe monitororimet e realizuara nga Grupi i Punës në terren dhe problematikat e evidentuara.
Prefekti i qarkut z. Kote theksoi disa nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare për zhvillimin e turizmit:
– Promovimi i aktiviteteve artistike-kulturore nëpërmjet aplikacionit TEA, i cili është kalendar digjital eventesh që synon të kthehet në një “One Stop Shop”, i cili përveç promovimit turistik të sigurojë edhe ndërlidhje mes bizneseve.
– Rritja e formalizimit, si pasojë e një fushate të gjerë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, ku biznesi dhe sektori publik përfitojnë, pasi hotelet e kategorizuara paguajnë TVSH të reduktuar në 6%, pavarësisht nëse janë bujtina apo hotele me 5 yje.
– Viti 2024 është cilësuar si viti i pyjeve, i cili do t’i kushtohet pyjeve, me fushata pyllëzimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi, prandaj është e rëndësishme që të hartohen plan masash për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme me programe mbarështimi, përkujdesjeje dhe edukimi në Vitin e Pyjeve.
Në përfundim të takimit, Prefekti i Qarkut z. Kote theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është i rëndësishëm për menaxhimin e turizmit dhe kërkoi angazhimin maksimal të të gjithë strukturave të pushtetit vendor dhe degëve territoriale në mbarëvajtjen e një sezoni turistik sa më të suksesshëm dhe atraktiv për turistët.