Trajnim dhe tryezë teknike në luftën kundër trafikut tē qënieve njerëzore
Në ambientet e Prefektit të Qarkut Gjiroakastër, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, z. Arian Korkuti, me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Brendshme, Drejtoreshës së Përgjithshme të Politikave të Migracionit dhe Azilit Znj. Silvana Banushi përfaqësuesit të UNICEF, u zhvillua një takim i përbashkët i anëtarëve të Komitetit Rajonal të Luftës kundër Trafikimit të Personave dhe të Tryezës Teknike Rajonale Antritrafikim për qarkun Gjirokastër.
Ky takim vjen në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2024-2025, ku është parashikuar edhe “Rishikimi i Urdhrit mbi krijimin, përbërjen dhe kompetencat e Komiteteve Rajonale Antitrafik dhe Trajnimi i anëtarëve të Komiteteve Rajonale dhe Tryezave Teknike Antitrafikim dhe aktorëve të tjerë në nivel lokal në 12 qarqet e vendit”.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe punën e deritanishme në luftën kundër fenomenit antitrafik, si dhe për punën e mire ndërgjegjësuese që është bërë gjatë gjithë vitit, por veçanërisht gjatë muajit Tetor, i konsideruar si muaji ANTITRAFIK.
Ky takim u realizua në formën e një takimi konsultativ ku u evidentuan problematikat e hasura gjatë zbatimit të Urdhrit të KRAT ekzistues; u adresuan çështjet kryesore që karakterizojnë qarkun tonë si qark kufitar; si dhe u propozuan sugjerime dhe mendime për urdhrin e ri të KRAT që do të hartohet së shpejti.
Në përfundim të takimit, z. Korkuti theksoi nevojën për arritjen e një bashkëpunimi sa më të mirë ndërinstitucional për të rritur nivelin parandalues të fenomenit me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve, jo vetëm shtetërorë, por edhe të shoqërisë civile, si dhe rritjen e fushatave ndërgjegjësuese dhe sensibilizuaese kundër këtij fenomeni, veçanërisht në vendet e punës dhe shkolla.