Arritje dhe prioritete në zhillimin e turizmit në Qarkun Gjirokastër

Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Odise Kote zhvilloi ditën e sotme takimin e dytë të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit për vitin 2024 në kuadër të analizës 10-mujore të punës për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të fushës së turizmit të bashkive respektive në qark, drejtues të institucioneve shtetërore në nivel vendor si dhe operatorë turistikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarkun Gjirokastër.
Fokusi i takimit ishte diskutimi i çështjeve lidhur me ecurinë e sezonit turistik 2024, problematikat e hasura, si dhe prezantimin e planit të masave të hartuar për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik 2025.
Në fjalën e tij, Prefekti i qarkut bëri një përmbledhje në lidhje me arritjet e vitit të kaluar, punën e bërë nga Task-Forca Ndërinstitucionale për mbarëvajtjen e sezonit turistik si dhe monitororimet e realizuara nga Grupi i Punës në terren dhe problematikat e evidentuara.
Sipas Prefektit Kote rritja e shifrave tё turizmit ёshtё realizuar falё punёs sё bёrё nga subjektet turistike private, të cilat kanë investuar në infrastrukturën turistike si në ofrimin e shërbimeve, por jo vetëm. Njëkohësisht, këto shifra pasqyrojnë edhe punën e bërë nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe nga institucionet shtetërore në nivel vendor, koordinimi i të cilave ka bërë që të kemi një sezon turistik të qetë, duke mos shënuar asnjë rast aksidenti me rrezik jetën e turistëve. Prefekti i qarkut z. Kote theksoi disa nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare për zhvillimin e turizmit:
– Zgjerimi i aktiviteteve dhe ofertave turistike, duke synuar forcimin dhe krijimin e produkteve të reja turistike si dhe përmirësimi i cilësisë sё tyre, që shkojnë për zhvillimin ekonomik tё qarkut.
– Orientimi i investimeve tё huaja dhe vendase drejt zonave me përparësi zhvillimin e turizmit si dhe destinacioneve turistike për përmirësimin e infrastrukturës bazë në to sidomos nё zonat rurale.
– Promovimi i një produkti turistik pёr gjithё qarkun dhe promovimi i imazhit të qarkut Gjirokastёr si një destinacion turistik i sigurt e mikpritës, me një ofertë turistike të konsoliduar e me produkte autentike.
– Përmirësimi i nivelit të shërbimit në sferën turistike dhe ofrimi i një mjedisi sa më të pastërt për vizitorët vendas dhe të huaj;
– Zhvillimin e sezonit turistik gjatë gjithë vitit (turizmi gjithёvjetor) në lidhje me veprimtari të ndryshme turistike me tematikë gastronominë, zonat rurale, etnografinë, trashëgiminë kulturore, trashëgiminë natyrore etj.
Në përfundim të fjalës së tij Prefekti Kote i mëshoi edhe një herë bashkëpunimt ndërinstitucional që sipas tij është i rëndësishëm për menaxhimin e turizmit dhe kërkoi angazhimin maksimal të të gjithë strukturave të pushtetit vendor dhe degëve territoriale në mbarëvajtjen e një sezoni turistik sa më të suksesshëm dhe atraktiv për turistët.