Koordinim në kuadër të ditës pa makina
Prefekti i Qarkut Gjirokastër Odise KOTE ka zhvilluar takimin për koordinimin e institucioneve vendore në zbatim të nismës dhe Udhëzimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të “Ditës pa makina”.
Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Këshillit të Qarkut Gjirokastër, përfaqësues të njësive vendore të qarkut, të Drejtorisë Vendore të Policisë, Drejtori i ZVA Gjirokastër si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Në fokus të këtij takimi ishte koordinimi i punës dhe angazhimi i institucioneve vendore për zbatimin e kësaj nisme si një qasje e re në funksion të mbrojtjes së mjedisit, pastrimit të ajrit të ndotur urban dhe krijimit të një kulture të re qytetare dhe urbane.
Dita pa makina do të zhvillohet të dielën e parë të çdo muaji në funksion edhe të sensibilizimit të qytetarëve për shtimin e përdorimit të mjeteve të tjera transportuese më ekologjike. Një rol të rëndësishëm në zbatimin e kësaj nisme do të kenë edhe mediat lokale të cilat do të njoftojnë në kanalet e tyre informuese akset e ndaluara rrugore për qarkullim nga automjetet dhe oraret e kufizimeve.
Për mjedis e ajër të pastër!