Barrierë kundër informalitetit, në mbrojtje të shëndetit të publikut!
Prefekti i Qarkut Gjirokastër z. Odise KOTE në analizën vjetore të I.SH.SH rajoni i Gjirokastrës, ka vlerësuar pozitivisht aktivitetin e veprimtarinë e këtij Inspektoriati në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Rezultatet e arritura gjatë vitit 2021 në përballimin e situatës së pandemisë, përfshirja në Task – Force të Prefektit të Qarkut, përmirësimi i vijueshëm i treguesve shēndetësorë e të shëndetit publik dhe ato ekonomikë në rajon, zbatimi me korrektësi i detyrimeve ligjore të protokolleve shëndetësore nga subjektet privatë e shtetërorë, si dhe ndërgjegjësimi, edukimi i publikut me standarte jetese e sjelljeje – të njëjta me ato të vendeve të Bashkimit Europian, janë një bazë e qëndrueshme për të rritur cilësinë e këtij shërbimi kaq të rëndësishëm ndaj publikut.
Prefekti Kote ka kërkuar nga drejtuesit dhe inspektorët që ky Inspektoriat, si instrumenti më i rëndësishëm ligjor në mbrojtje të shëndetit të publikut të jetë Barriera e Pakapërcyeshme ndaj informalitetit, abuzimit, manipulimit e mashtrimit.
Puna dhe aktiviteti i këtij Inspektoriati nuk është e thjeshtë e mekanike, por komplekse, ligjore, që lidhet me traditën dhe situatën sociale, psikologjinë e qytetarëve, masat organizative, bashkëpunimin me Njësitë e V.V, Institucionet e drejtoritë rajonale, me OJF-të e vetë komunitetin. Për këtë qëllim kërkohet kuptim më i gjerë i detyrës funksionale dhe qasje bashkëkohore.
Të gjithë sëbashku, në një front, nuk duhet të lejojmë sofistikimin e paligjshmërisë, por të luftojmë që përmes fuqisë së ligjit, argumentit moral e qytetar, veprimit të koordinuar e transparent të japim shembujt e duhur të një shoqërie që dëshiron një jetë të shëndetshme, të mbrojtur e të pastër.
Sëbashku si një Ekip në mbrojtje të jetës së qytetarit dhe shëndetit të publikut!