Takimi i Komitetit Rajonal të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore
Sëbashku – për mbrojtje e menaxhim sipas standarteve Europiane të Zonave të Mbrojtura.
Është mbajtur sot takimi i Komitetit Rajonal të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore nën drejtimin e Prefektit te Qarkut Gjirokastër z. Odise Kote në cilësinë e kryetarit të këtij komiteti dhe me pjesëmarrjen e Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura znj. Daniel Pirushi, drejtorit të ri të AdZM Gjirokatër z. Vasil Xha dhe anëtarëve të tjerë pjesë përbërëse e komitetit rajonal.
Gjatë takimit, Drejtor i Pergj. i AKZM znj. Daniel Pirushi ka prezantuar ndryshimet e bëra në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, të cilat përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt rritjes së mbrojtjes dhe menaxhimit të zonave të mbrojtura mjedisore, veçanërisht të Parqeve Kombëtare, duke përfshirë përkufizime më të qarta, promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe duke mundësuar praktika adaptive të menaxhimit të përshtatura për nevojat specifike të secilës zonë të mbrojtur.
Një pikë e rëndësishme diskutimi në takim ishte – Turizmi i qëndrueshëm i cili tashmë merr një dimension tjetër. Duke definuar termin “Turizëm i ekselencës” dhe duke vendosur standarde të larta për infrastrukturën turistike, ndryshimet synojnë tashmë të promovojnë praktika të përgjegjshme dhe ekskluzive turistike që nuk cënojnë integritetin natyror sidomos të Parqeve Kombëtare.
Nga ana e AdZM Gjirokastër është prezantuar puna e bërë deri më tani, me realizimin e objektivave të vendosura që nga menaxhimi i qëndrueshëm i vlerave natyrore të zonave të mbrojtura, promovimi i vazhdueshëm i këtyre vlerave, përmirësimit të infrastrukturës dhe kushteve për vizitorët si dhe në drejtim të edukimit mjedisor për brezin e ri dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për mbrojtjen e këtyre vlerave në terren dhe në mediat sociale.
Prefekti i qarkut z. Odise Kote ka përmendur në fjalën e tij se “Shqetësimi ynë i parë dhe kryesor është dhe do të jetë zbutja e ndikimeve negative të aktiviteteve njerëzore në zonat e mbrojtura të cilat vazhdojnë të ndodhin ende si shpyllëzimi, zjarret e qëllimshme, përdorimi i paqëndrueshëm i tokave për kullotje apo kultivim të bimëve medicinale, gjuetia pa kriter etj.. Ku, në këtë drejtim duhet të ushtrojmë dhe zbatojmë masa të forta për t’i kufizuar këto praktika dhe për të promovuar alternativa të qëndrueshme, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë lokalë të qarkut.”
Në përfundim të takimit janë përcaktuar dhe detyrat-objektiva konkrete për periudhën në vazhdim, me synim përmirësimin e mëtejshëm të ruajtjes, menaxhimit dhe monitorimit të zonave të mbrojtura në qarkun tonë.