Mision në shërbim të njeriut!
Në mbështetje të ligjit nr. 45/19 “Për Mbrojtjen Civile”, ligjit nr. 107/2016, “Për Prefektin e Qarkut” i ndryshuar, si dhe ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, Prefekti i Qarkut Gjirokastër z. Odise Kote në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Mbrojtjes Civile ka zhvilluar ditën e sotme një takim ku morrën pjesë Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit z. Mirela Kumbaro, Drejtori i AKMC z. Haki Çako, Kryetar i Qarkut z. Dino Selimi dhe Kryetarët e bashkive të qarkut.
Ky takim kishte në fokus diskutimin e problematikave dhe jetësimin e prioriteteve të qarkut Gjirokastër dhe bashkive të tij, për çështjet e rreziqeve natyrore dhe emergjencave të shkaktuara prej tyre. Gjithashtu nëpërmjet këtij takimi u njoftua çelja e Thirrjeve për aplikim projektesh, për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në kuadër të mbrojtjes civile, për investime infrastrukturore; investime në rehabilitimin e digave të rezervuarve; blerje mjetesh në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve.
Një hapësirë diskutimi më vete gjatë takimit iu kushtua analizimit të ngjarjeve emergjente të këtij viti dhe mangësitë e konstatuara, përdorimi me efikas të 4% të buxhetit bashkiak në interes të emergjencave si dhe rëndësia e përgatites serioze e intensive në rast të situatave emergjente të mundshme.
Nga ana e Kryetarëve të bashkive u paraqitën problematikat kryesore në lidhje me menaxhimin e situatave emergjente, krijimin e infrastrukturës së nevojshme e deri tek mobilizimi i përgjithshëm i të gjithë forcave e mjeteve.
Ndër të tjerash, Prefekti z. Kote theksoi se duhet gadishmëri e lartë e efektivave, vigjilencë dhe maturi, zbatimi i protokolleve dhe sidomos bashkëpunimi e ndërveprimi midis të gjithë faktorëve përmes një planizimi kapilar është jo vetëm detyrë e përhershme, por dhe një Mision për të shpëtuar jetë njërëzish.