Takimi i Grupit të Punës së Task-Forcës për qeset plastike
STOP – përdorimit, hedhjes në treg, importit të qeseve të papërdorshme plastike!
Në ambientet e Prefektit të Qarkut Gjirokastër është mbajtur sot takimi i Grupit të Punës së Task-Forcës për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse në Qarkun Gjirokastër.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, drejtori i Degës së Doganës Kakavie z. Ilia Pili, drejtori teknik i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut z. Erion Prifti, përgjegjës të Policive Bashkiake pranë bashkive të Qarkut Gjirokastër si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore pjesë e Task-Forcës së qeseve plastike mbajtëse.
Nën koordinimin e Prefektit të Qarkut z. Odise Kote, me një rol të rëndësishëm në procesin e monitorimit dhe të kontrollit me njësitë e vetëqeverisjes vendore të qarkut, ky takim i paraprin periudhës brenda së cilës në qark do të kryhen kontrolle dhe inspektime në zonat e inspektimit dhe subjekteve konkrete apo tregëtarë të tjerë, objekt i kontrollit të Task-Forcës së qeseve plastike mbajtëse.
“Parandalimi dhe sensibilizimi janë dy pikat fokale në të cilat duhet të përqëndrohet puna e policisë bashkiake në bashkëpunim me të gjithë institucionet pjesë e Task-Forcës për zbatimin korrekt të kuadrit ligjor”, ka theksuar në fjalën e tij Prefekti i qarkut z. Kote.
Ndërsa në fjalën e tij z. Prifti ka cituar se “Problematikë kryesore e kësaj Task-Force është që bashkitë nëpërmjet policisë bashkiake dhe kuadrit ligjor të garantojnë mospërdorimin e qeseve plastike nën 70 mikron dhe specifikave të tjera të parashikuara në legjislacionin shqiptar nga të gjithë tregëtarët”.