JAVA E TOKËS!
Në takimin me Organin Këshillues të Prefektit të Qarkut Gjirokastër, prefekti Odise KOTE u fokusua në “Situatën mjedisore të mbetjeve urbane në qark, mbarëvajtjen e aksionit të pastrimit sipas Planit Kombëtar si dhe respektimin e kuadrit ligjor e normativ në fushën e mjedisit dhe kontrollin e territorit”
Prefekti Kote ka bërë një analizë të detajuar të punës së Bashkive dhe Drejtorive Rajonale në zbatim të nismës së Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama dhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit znj. Kumbaro “Të çlirojmë territorin nga ndotja mjedisore”, punë e nisur në nëntor të vitit të kaluar dhe që po vijon në Qarkun Gjirokastër.
Krahas punës vlerësuese të Bashkive, Degëve Territoriale e Institucioneve në Qark, prefekti Kote ka nënvizuar me shqetësim aspekte të nënvlerësimit e formalizmit në këtë detyrë kaq të rëndësishme ligjore, komunitare e qytetare, duke kërkuar që krahas sensibilizimit, ndërgjegjësimit të kryhet dhe alternimi me masa administrative e penale të krimeve mjedisore. Ai ka bërë thirrje për organet ligjzbatuese që të rrisin prezencën dhe kontrollet në territor.
Organi Këshillues i Prefektit të Qarkut e ka shpallur kohën prej datës 19 – 23 prill 2022, si “Javën e Tokës”, kohë gjatë së cilës sipas Planit të Veprimit të Prefektit të Qarkut, Bashkitë, Degët Territoriale, ZVA-të, Institucionet e Qarkut do të jenë në terren në aksionin e pastrimit, në aktivitete edukuese e promovuese në mbrojtje të mjedisit, të tokës, të lumit e ambjentit.
Në përmbyllje të aktiviteteve të “Javës së Tokës”, ditën e premte, date 23 prill 2022 të gjitha Bashkitë, Degët Territoriale, shkollat dhe Institucionet do të përmbyllin një aksion të përgjithshëm në territor për një mjedis e ambjent të pastër sipas traditës që ka trashëguar rajoni i Gjirokastrës.
Me përulësi, përkushtim e punë të përbashkët për mjedis e ambjent të pastër!