Takimi i Komitetit Rajonal të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore
FLORA e FAUNA – FYTYRA E TOKËS SHQIPTARE.
Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Gjirokastër z. Odise Kote u zhvillua takimi online i Komitetit Rajonal të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore në qark, Autoritetit Rrugor Jugor, shoqërisë mjedisore “Çajupi” si dhe përfaqësues të “Shoqërisë mjedisore e ujërave, pyjeve dhe kullotave” në Përmet.
Prefekti i qarkut Gjirokastër, kryetar i Komitetit Rajonal të ZMM, theksoi rëndësinë e madhe që mbart hartimi dhe zbatimi i strategjive të qendrueshme për manaxhimin cilësor të zonave të mbrojtura mjedisore si një pasuri e përbashkët natyrore dhe njerëzore, në tërësinë e funksionimit të tyre.
Gjatë këtij takimi, përpos arritjeve dhe zhvillimeve të ndjekura nga AdZM Gjirokastër, janë evidentuar edhe disa problematika që kanë të bëjnë me mungesën e hartimit të Planeve të Menaxhimit për zonat e mbrojtura të qarkut, nevojën për investime me qëllim shtimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe menaxhuese të tyre si dhe në drejtim të shtimit të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë vendorë për monitorimin e zonave të mbrojtura mjedisore.
Si objektiv kryesor për vitin 2021 është përcaktuar përmirësimi i infrastrukturës sinjalistike me tabela informuese të shtigjeve turistike egzistuese apo atyre të reja, funksionalizimi i tyre si infrastrukturë për zhvillimin e turizmit dhe ekonomive lokale. Gjithashtu u theksua nevoja e masave të përbashkëta me pushtetin vendor, Institucione, OJF e shoqata në drejtim të rritjes së sigurisë të turistëve vendas dhe të huaj që do të vizitojnë pasuritë e vyera natyrore të qarkut Gjirokastër.