Takimi i Task Forcës Vendore Anti Covid-19
Nën drejtimin e Prefektit të qarkut Gjirokastër Z. Astrit Aliaj është zhvilluar takimi i radhës i Task Forcës Vendore Anti Covid-19, në zbatim të detyrave të monitorimit të masave anti Covid-19.
Të pranishëm ishin drejtues i NJVKSH Gjirokastër, ISHSH Gjirokastër, DSHTR, ISHPSHSH, Policisë bashkiake si dhe përfaqësues nga Drejtoria Rajonale Tatimore, Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër dhe DR AKU Gjirokastër.
Prefekti i qarkut bëri një vlerësim të situatës aktuale epidemiologjike në qarkun Gjirokastër, ku vihet re një rritje e rasteve me virusin Covid-19 dhe referuar kësaj situate kërkoi angazhim maksimal nëpërmjet organizimit të grupeve ndërinstitucionale për intensifikimin e kontrolleve në subjektet me risk të lartë për përhapje të virusit. Ndër të tjerash, Z. Aliaj theksoi se me fillimin e vitit të ri shkollor më 14 shtator duhet të merren masa për garantimin e kushteve për respektimin rigoroz të protokolleve të sigurisë, së pari nga prindërit si dhe nga strukturat përgjegjëse.
Nga ana e anëtarëve u raportua për punën e bërë deri më tani në funksion të Task Forcës anti Covid-19 si dhe u paraqitën problematikat që hasin gjatë inspektimeve në terren për monitorimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë, si të tilla mospërdorimi i maskave në linjat e transportit urban qytetas, në subjekte tregtare dhe distanca në bar-kafe ose restorante.
Në përfundim, Prefekti i qarkut la rekomandimet përkatëse dhe bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, por të respektojnë masat e vendosura si distancimin fizik, përdorimin e detyrueshëm të maskës në ambientet e mbyllura, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit.