Komunikim dhe mbështetje nismave në dobi e zhvillim të Komunitetit
Prefekti i Qarkut Gjirokastër z. Odise KOTE zhvilloi sot një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatës “Lazarati”.
Me sens të fortë qytetar, intelektual e social, jashtë politikës dhe paragjykimeve, në bashkëbisedim u diskutua rreth jetës social – ekonomike në këtë Njësi Administrative, më e madhja në Qarkun Gjirokastër, problematikës, rritjes së standartit të jetesës, biznesit, punësimeve, rritjes së parametrave të sigurisë publike dhe prespektivave të zhvillimit.
Përfaqësuesit e shoqatës “Lazarati” informuan e diskutuan edhe për disa probleme që shqetësojnë komunitetin si: Zbatimi rigoroz i projektit të ujësjellësit që furnizon fshatin dhe pjesët e tjera të Nj.Administrative, mbështetjen për ndërtim të urës mbi lumin Drino që kalon përfund fshatit, pasurimin me libra të bibliotekës së shkollës së mesme e sidomos të zbatimit të ligjit për frekuentimin e shkollës nga fëmijët vendas dhe moslejimi i tyre për të shkuar në shkollat e qytetit, investime në infrastrukturën sportive dhe shplodhëse në fshat dhe probleme të investimeve, integrimit e punësimit të të rrinjve e të rejave të arsimuara.
Përfaqësuesit e shoqatës “Lazarati” informuan prefektin e Qarkut edhe për Ftesën Publike miqësore që i kanë drejtuar ambasadores së SHBA në Tiranë zj.Yuri Kim për të vizituar Lazaratin, në kohën që Ajo do ta vlereësojë të përshtatshme, si përfaqësuese e një vendi mik dhe aleat strategjik i Shqipërisë, për të takuar banorët, për t’u njohur me realitetet e reja, lidhjet dhe raportet me shtetasit amerikanë që janë nga Lazarati, si dhe për mbështetje të Ambasadës e SHBA në investime dhe zhvillim të ekonomisë, arsimit e kulturës në këtë Njësi Administrative.
Prefekti i Qarkut Gjirokastër, z Odise KOTE i inkurajoi drejtuesit e shoqatës të punojnë pa u lodhur për të mirën e komunitetit, për zhvillimin e ekonomisë lokale, të rritjes së standartit të jetesës, përmirësimit të performancës publike komunitare, rritjen e parametrave të sigurisë, për një jetë të shëndetshme, larg fenomeneve, ngjarjeve e problematikave negative.
Punojmë për shoqëri të emancipuar, të hapur dhe një jetë të shëndetshme, me parametra të lartë të sigurisë publike!