Donacion për fëmijët e policëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj dhuroi për fëmijët e policëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit një numër të konsiderueshëm atletesh, të cilat vijnë si donacion nga fondacioni italian “Corpi Sanitari Internazionali”. Misioni i këtij fondacionit është të ndihmojë fëmijët në nevojë, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike, si dhe të mbështesë institucionet të cilat asistojnë në ndihmë të këtyre fëmijëve. Kjo ndihmë humanitare nga miqtë italianë merr edhe më shumë vlerë në situatën e pandemisë në të cilën gjendemi dhe na tregon edhe një herë se nuk jemi të vetëm në këtë luftë. Prefekti i qarkut Z. Aliaj u shpreh se ky donacion për fëmijët e policëve, vjen si një shenjë mirënjohje dhe falenderimi për efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët në këtë periudhë mjaft të vështirë dhe krejtësisht të pazakontë kanë bërë një punë të mrekullueshme, si në përmbushjen e detyrave e tyre funksionale, ashtu edhe në ndihmesën e dhënë ndaj qytetarëve e shtresave në nevojë. Nga ana e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Albert Dervishaj u shpreh mirënjohës ndaj këtij kontributi të fondacionit italian për fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët po kryejnë me përkushtim çdo detyrë të ngarkuar, si për rendin e sigurinë publike të komunitetit.