Dëgjesë publike Parku Kombëtar Lumi Vjosa
Në ambientet e Prefektit të Qarkut Gjirokastër është zhvilluar sot takimi i konsultimit publik nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura mbi prezantimin e “Planit të Integruar të Menaxhimit për Parkun Kombëtar Lumi Vjosa” me të gjithë institucionet dhe aktorët faktorë të qarkut.
Nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura znj. Daniel Pirushi, në takim ishin të pranishëm Prefekti i Qarkut Gjirokastër z. Odise Kote, Drejtori i Biodiversitetit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Drejtori i AdZM Gjirokastër, përfaqësues të bashkive të Qarkut Gjirokastër si dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile dhe organizatat mjedisore.
Drejtori i Përgjithshëm znj. Pirushi ka prezantuar rëndësinë e këtij kapitulli i cili konsiston në miratimin përfundimtar të dokumentit të “Planit të Integruar të Menaxhimit për Parkun Kombëtar Lumi Vjosa” i përbërë nga 6 kapituj kryesorë: Plani i Menaxhimit, Zonimi i zones së mbrojtur, Studimi Ekologjik, Analiza Socio-Ekonomike, Plani Financiar si dhe Masterplani i Turizmit.
Gjithashtu nga ana e znj. Pirushi është prezantuar edhe pashaporta e re e Lumit Vjosa tanimë në kategorinë Rezervë Biosferë, pjesë e programit “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s. Përmes qasjes së forcimit të ndërveprimit të qëndrueshëm midis komuniteteve dhe mjedisit,
procesi synon t’i japë një orientim zhvillimit të Luginës së Vjosës.
Pjesë e rëndësishme e takimit ishin konsultimet publike me pjesëmarrësit ku pati zhvillime për sa i përket problematikave që lidhen shfrytëzimin e burimeve ujore të Vjosës nga komuniteti, problematika lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane apo trajtimin e ujërave të zeza nga bashkitë e qarkut si dhe qasja e bizneseve private kundrejt kërkesave dhe kufizimeve të parashikuara në dokumentet e menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.