Takimi kundёr kultivimit të bimëve narkotike, Tepelenë
![Takimi kundёr kultivimit të bimëve narkotike, Tepelenë](https://prefektiqarkutgjirokaster.gov.al/wp-content/uploads/2020/06/101810805_2519721804946123_4574297039625519104_o.jpg)
Në vazhdën e takimeve në qark, në kuadër të luftёs kundёr kultivimit të bimëve narkotike, Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ka qenë i pranishëm ditën e sotme në bashkinë Tepelenë ku është zhvilluar edhe takimi i radhës antikanabis. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë gjithashtu Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Shefi i Komisariatit të Policisë Tepelenë, drejtues të lartë të bashkive Tepelenë e Memaliaj si dhe administratorët e njësive administrative të të dya bashkive. Në fokus të këtij takimi ishte zbatimi nga ana e bashkive në qark të detyrave të ngarkuara nga “Plan-Veprimi Vendor 2020” në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Prefekti i qarkut në cilësinë e Kryetarit të kësaj Task-Force Vendore ka kërkuar më shumë bashkëpunim ndërmjet kryepleqve të fshatrave dhe administratorëve të njësive administrative për identifikimin e tokave të kultivuara me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Gjithashtu, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të koordinojnë veprimtarinë e tyre me institucionet e tjera vendore, pjesë e Task-Forcës, me qëllim krijimin e grupeve të përbashkëta për monitorimin, kontrollin dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit në zonat me risk të lartë.
Forcat e Policisë së Shtetit, duke kombinuar monitorimin nga ajri me kontrollet në terren, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, nuk do të lejojnë më që qarku Gjirokastër të përfshihet në listën e zezë të kultivimit të bimëve narkotike.
Ndër të tjera, Prefekti i qarkut, ka lënë edhe detyrat përkatëse për bashkitë respektive, duke kërkuar me ngulm vëmendje të shtuar në parandalimin e këtij fenomeni regresiv, si një përgjegjësi primare jo vetëm e një institucioni por e të gjitha institucioneve monitoruese e ligjzbatuese në qark.