VKM nr.965 date 02.12.2015 Bashkepunim Nderinstitucional te Strukturave te Drejtimit ne rastet e emergjencave civile dhe krizave

Klikoni për të lexuar ligjin

VKM Nr. 329 date 16.5.2012 Per kriteret dhe procedurat e dhenies se ndihmes shteterore dhe financare per mbulimin e demeve

Klikoni për të lexuar ligjin

 

 

Ligji Nr. 8756, datë 26.3.2001 PËR EMERGJENCAT CIVILE
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, 170 dhe 174 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K UV E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I :

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 

Neni 1

Qëllimi

Planëzimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit shqiptar që synon:
a) parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile;
b) sigurimin e kushteve për institucionet shtetërore, publike e private, për veprimtaritë ekonomike dhe për popullatën, për kalimin nga gjendja normale e jetesës dhe e punës në një situatë emergjente, me humbje sa më të vogla për ruajtjen e rendit, për jetën e njerëzve, për gjënë e gjallë, për pronën, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin kundër efekteve të një emergjence civile;
c) garantimin e përdorimit të të gjitha burimeve të mundshme të shtetit, me qëllim sigurimin publik, ruajtjen e vazhdueshme të ekonomisë kombëtare, lokalizimin e zonës së emergjencës dhe lehtësimin e pasojave.

Neni 2

Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Emergjencë civile” kuptohet një situatë e shkaktuar nga faktorë natyrorë, ekologjikë, industrialë, socialë, veprime terroriste, veprime ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin.
2. “Emergjencë civile kombëtare” kuptohet një situatë kritike urgjente e një natyre të përkohshme, që dëmton seriozisht jetën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve të Republikës së Shqipërisë, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin, në një masë e natyrë

të tillë që kalon mundësinë ose autoritetin e organeve të qeverisjes vendore për ta përballuar atë, ose kërcënon seriozisht mundësinë e Qeverisë së Republikës të Shqipërisë për të ruajtur sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendit.
3. “Fatkeqësi natyrore” kuptohen tërmetet, përmbytjet, thatësira atmosferike të tejzgjatura, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta, zjarret në pyje dhe në mjediset e banuara, sëmundjet infektive masive, pasojat e të cilave prekin popullatën, gjënë e gjallë, pronën, mjedisin, si dhe ngjarje të tjera të shkaktuara nga dukuri natyrore.
4. “Fatkeqësi të tjera” kuptohen aksidentet rrugore, hekurudhore, detare, ajrore, si dhe zjarret, shpërthimet, rrëzimet e digave, aksidentet bërthamore, ekologjike ose industriale dhe çdo lloj tjetër aksidenti të shkaktuar nga veprimi njerëzor, nga luftërat ose gjendjet e emergjencës, si dhe format e tjera të dhunës masive.
5. “Fatkeqësi” kuptohet një ngjarje, pasojat e së cilës janë shkaktuar nga forca natyrore të pakontrolluara ose nga arsye të tjera të parashikuara në këtë ligj, të cilat kërcënojnë ose dëmtojnë jetën dhe shëndetin e popullatës, të gjësë së gjallë, pasurinë, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin, në një masë të tillë, që kërkojnë marrjen e masave të veçanta dhe përdorimin e burimeve të veçanta njerëzore e materiale-teknike.
6. “Masa mbrojtëse” kuptohen masat organizative, teknike dhe çdo masë tjetër për mbrojtjen e menjëhershme individuale dhe kolektive të njerëzve, gjësë së gjallë, pasurisë, institucioneve, trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit, kundër pasojave të fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera.
7. “Operacion ndërhyrjeje” kuptohen veprimet e forcave dhe të mjeteve, për shpëtimin e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë dhe të vlerave materiale (pronës) në një territor të prekur nga fatkeqësia, si dhe sigurimi i kushteve për jetesë të popullatës të prekur nga fatkeqësia.
8. “Parandalim” kuptohet një kuadër masash që merren para ndodhjes së një ngjarjeje për shmangien ose për zvogëlimin e dëmeve që mund të vijnë nga ngjarja.
9. “Parashikim” kuptohen veprimtaritë që kryen për studimin dhe përcaktimin e shkaqeve të emergjencave, për përcaktimin e zonave, të territoreve dhe objekteve nga rreziqet e njëjta.
10. “Planëzim e përballim të emergjencave civile” kuptohet përgatitja e autoriteteve publike, e institucioneve dhe organeve të qeverisjes qendrore e vendore, e personave juridikë, publikë ose privatë, e organizatave publike dhe e popullatës për një emergjencë civile, si dhe për rastet e një fatkeqësie natyrore, duke përcaktuar marrjen e masave për parandalimin dhe për riaftësimin e gjendjes së shkaktuar nga veprimi i rrethanave emergjente.
11. “Riaftësim” kuptohen masat dhe veprimet që kryhen për rikthimin në gjendjen e mëparshme në rajonin (territorin) e prekur nga fatkeqësia.
12. “Rrezik” kuptohet një gjendje serioze, reale dhe e menjëhershme, që kanos jetën e njerëzve, të gjësë së gjallë, dëmtimin e pronës publike, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit, që mund të shkaktohet nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera.
13. “Shër bim të emergjencave civile” kuptohet shërbimi i bashkërenduar i Policisë së Shtetit dhe të gjitha policive të tjera, shërbimi i shpëtimit dhe i mbrojtjes nga zjarri dhe i urgjencës mjekësore.
14. “Vlerësim rreziku” kuptohet analiza sasiore e cilësore e natyrës dhe e rrethanave të tjera për ndodhinë e pritshme nga fatkeqësia natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera.

Neni 3

Parime të përgjithshme

1. Organet shtetërore, të përcaktuara në këtë ligj, janë përgjegjëse për parandalimin, përballimin dhe për riaftësimin e gjendjes së shkaktuar nga fatkeqësia.
2. Organet shtetërore kanë të drejtë të përdorin çdo mjet publik ose privat, si dhe të bashkëpunojnë me organizata vullnetare që kanë rol të përcaktuar në situatat emergjente, për të shmangur ose për të reduktuar pasojat që shkaktohen nga fatkeqësitë, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për aq kohë sa vepron rrethana që i ka shkaktuar ato pasoja.
3. Strukturat e ngritura për planëzimin dhe për përballimin e emergjencave civile funksionojnë si të tilla edhe në rastet kur me ligj shpallet gjendja e jashtëzakonshme, gjendja e luftës ose gjendja e fatkeqësisë natyrore, duke pasur si qëllim kryesor marrjen e masave për parandalimin dhe riaftësimin e gjendjes së shkaktuar nga gjendja e jashtëzakonshme, gjendja e luftës ose gjendja e fatkeqësisë natyrore.
4. Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, në përputhje me mundësitë e tij reale, ka për detyrë të ndihmojë në parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave që shkaktohen nga fatkeqësitë, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj.
5. Asnjë organ, i përcaktuar në këtë ligj, nuk mund të ushtrojë përgjegjësi që nuk janë në sferën e veprimtarisë së tij.
6. Organet që, sipas këtij ligji, ngrihen për situata emergjente, janë fuqiplote, brenda përgjegjësive dhe hierarkisë së tyre dhe veprojnë edhe pas kapërcimit të situatave emergjente, siç përcaktohet në pikat 1 dhe 2 të nenit 174 të Kushtetutës.
7. Organet, që sipas këtij ligji kanë natyrë operative, funksionojnë në mënyrë të përhershme dhe kryejnë detyrat e përcaktuara në këtë ligj për parashikimin, parandalimin, operacionet e ndërhyrjes dhe për riaftësimin e pasojave nga fatkeqësitë.
8. Aktet e organeve më të larta janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga organet më të ulëta dhe nga çdo person fizik ose juridik. Ato marrin fuqi juridike në çastin e nxjerrjes së tyre. Organet që i nxjerrin këto akte detyrohen t’i vënë ato menjëherë në dispozicion të zbatuesve.

Neni 4

Llojet e strukturave

Për planëzimin dhe përballimin e emergjencave civile krijohen struktura mbi baza të përkohshme dhe të përhershme në nivel qendror dhe vendor.

KREU II

STRUKTURAT E PLANIZIMIT DHE TË PËRBALLIMIT TË EMERGJENCAVE CIVILE NË NIVEL QENDROR

Neni 5

Këshilli i Ministrave

1. Këshilli i Ministrave është përgjegjës për planëzimin dhe përballimin e emergjencave civile në Republikën e Shqipërisë.
2. Në ushtrimin e funksioneve të tij për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave kryen këto detyra:
a) Miraton politikën dhe programet për planëzimin dhe përballimin e emergjencave civile.
b) Miraton programin kombëtar dhe krijon kushte për arsimimin, trajnimin, planëzimin dhe përballimin e emergjencave civile.
c) Vendos për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit për parashikimin, parandalimin, operacionet e ndërhyrjes ose riaftësimin e pasojave të situatave të emergjencës civile.

ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj.
d) Kërkon pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë përtej 30 ditëve.
dh) Vlerëson nivelin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ose fatkeqësitë e tjera, në bashkëpunim me specialistët e organeve përgjegjëse, si dhe asistencën për riaftësim.
e) Përcakton, në bashkëpunim me donatorët e huaj, procedurat për asistencën ndërkombëtare në rastet e emergjencave civile, në përputhje me konventën përkatëse ndërkombëtare të nënshkruar nga Qeveria Shqiptare.
ë) Planifikon fonde për mjete e pajisje rezervë të shtetit për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile.

Neni 6

Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile

1. Për çdo rast të një emergjence civile kombëtare, sipas qëllimit dhe objektit të këtij ligji, pranë Këshillit të Ministrave krijohet Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.
2. Këshilli i Ministrave përcakton kryetarin e këtij Komiteti dhe përbërjen e tij.
3. Komiteti Ndërministror qëndron i mbledhur deri në shuarjen e shkaqeve që kanë çuar në emergjencë.
4. Komiteti Ndërministror mund të thërrasë specialistë për këshillime në emergjenca.

Neni 7

Detyrat e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile kryen këto detyra:
a) Bashkërendon veprimet e forcave të shërb imit të emergjencave civile.
b) Bashkërendon menaxhimin e rezervave shtetërore, si dhe përcakton mënyrën e përdorimit të tyre.

c) Përcakton mënyrat dhe procedurat për përdorimin e burimeve materiale dhe financiare në rast emergjence.
ç) Diskuton dhe vendos paraprakisht për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera.
d) Vlerëson rindërtimin dhe riaftësimin nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit, si dhe për të parandaluar dëmet e mundshme në të ardhmen dhe në sigurimin e kushteve bazë të jetesës.
dh) Në rastet e një emergjence civile kombëtare cakton drejtuesin e operacionit për menaxhimin e saj.
e) Kryen detyra të tjera që burojnë nga ky ligj dhe detyra të veçanta, të caktuara nga Këshilli i Ministrave për përballimin e emergjencës civile.

Neni 8

Ministria e Pushtetit Vendor

1. Ministria e Pushtetit Vendor është përgjegjëse për përgatitjen dhe zbatimin e planit kombëtar për planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile.
2. Ministria e Pushtetit Vendor kryen këto detyra:
a) Zbaton së bashku me institucionet e tjera politikën e Këshillit të Ministrave në fushën e planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile.
b) Bashkërendon veprimet e të gjitha palëve në planizimin dhe përballimin e emergjencave civile për përmbushjen e detyrave që u përkasin atyre dhe bashkërendon punët me organet e qeverisjes vendore për përballimin e emergjencave civile.
c) Organizon marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin dhe zbatimin e planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile.
ç) Menaxhon sistemin e mbrojtjes kundër fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera.
d) Zhvillon strategjitë e programeve të planizimit dhe përballimit të emergjencave civile dhe i paraqet ato për miratim në Këshillin e Ministrave.
dh) Përpunon zbatimin e programeve të arsimimit dhe të trajnimit në fushën e mbrojtjes kundër fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera.
e) Në bashkëpunim me ministritë, institucionet dhe entet e ndryshme të vendit bën vlerësimin e rreziqeve mbi të cilat bazohet plani kombëtar i emergjencave civile dhe e paraqet atë për miratim në Këshillin e Ministrave.
ë) Merr masa për sensibilizimin e opinionit publik dhe për ndërgjegjësimin e tij rreth emergjencave civile dhe planifikon fonde për studime nga institucionet publike për përballimin e emergjencave civile.
f) Lidh marrëveshje me shoqata dhe organizata që ofrojnë asistencën e tyre në realizimin e detyrave në planizimin dhe përballimin e emergjencave civile.
g) Njofton në çdo gjashtë muaj Këshillin e Ministrave për gjendjen e përgjithshme të planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile.
gj) I siguron Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile të gjitha të dhënat e nevojshme për situatat emergjente dhe për rreziqet që ato përfaqësojnë.

h) Ndjek punën për krijimin dhe përdorimin e rezervave shtetërore të vëna në dispozicion nga strukturat e rezervave të shtetit, për situatat e emergjencës civile.
i) Përcakton rregullat e përdorimit të burimeve materiale e financiare në rastet e emregjencës civile.
j) Bashkërendon organizimin dhe pajisjen e forcave të ndërhyrjes në rastet e emergjencës civile.
k) Organizon, zbaton dhe monitoron sistemin e të dhënave në nivel kombëtar për situatat e emergjencës civile.
l) Bashkërendon punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe riaftësimin nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera, në përputhje me aktet nënligjore përkatëse. ll) Kontrollon zbatimin e masave mbrojtëse dhe parandaluese në rastet e emergjencave civile.
m) Kryen detyra të tjera që burojnë nga ky ligj dhe nga ligje të tjera.

Neni 9

Departamenti i Planizimit dhe i Përballimit të Emergjencave Civile

1. Në Ministrinë e Pushtetit Vendor krijohet dhe funksionon Departamenti i Planizimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile.
2. Departamenti ka për detyrë përgatitjen dhe zbatimin e planit kombëtar të planizimit dhe përballimit të emergjencave civile.
3. Departamenti bën inspektim të vazhdueshëm për zbatimin e masave mbrojtëse kundër fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera.
4. Struktura, përgjegjësitë dhe detyrat e Departamentit të Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 10

Komisioni Teknik Këshillimor i specialistëve

1. Pranë Departamentit Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile krijohet Komisioni Teknik Këshillimor me specialistë nga ministritë, institucionet, entet e ndryshme dhe forcat operacionale.
2. Komisioni Këshillimor thirret dhe kryesohet nga Drejtori i Departamentit të Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile.
3. Komisioni kryen bashkërendimin e veprimeve në fushën e planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile ndërmjet autoriteteve të ndryshme dhe organ izatave vullnetare.
4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor, përcakton përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e këtij Komisioni.
5. Departamenti i Planizimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile mban regjistër për specialistët që mund të thërrasë për këshillime.

Neni 11

Ministritë

1. Çdo ministër është përgjegjës për organizimin e planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile në veprimtarinë që ka në përgjegjësi.
2. Ministritë kryejnë këto detyra:
a) Hartojnë planet për përgatitjen për emergjencë civile sipas llojit të veprimtarisë dhe të përgjegjësisë të tyre dhe i paraqesin këto në Ministrinë e Pushtetit Vendor për bashkërendim.
b) Zbatojnë planet dhe përcaktojnë masat për parandalimin e fatkeqësive natyrore ose të fatkeqësive të tjera dhe të pasojave nga fatkeqësi të tilla në fushën e përgjegjësisë së tyre.
c) Organizojnë trajnimin dhe arsimimin në fushën e veprimtarisë së tyre, në bashkërendim dhe këshillim me Departamentin e Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile.
ç) Analizojnë gjendjen e planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile në fushën e përgjegjësisë së tyre dhe njoftojnë Departamentin e Planizimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile.

Neni 12

Entet e ndryshme publike

1. Entet e ndryshme publike, kur u kërkohet nga Departamenti i Planizimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, kryejnë studime të cilat përfshijnë parashikimin, parandalimin dhe
shmangien e pasojave të fatkeqësive natyrore ose të fatkeqësive të tjera dhe ia paraqesin këto studime këtij Departamenti.
2. Entet publike paraqesin te ky Departament edhe rezultatet e studimeve që mund të jenë me interes për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile në përgjithësi.
3. Mënyra e planifikimit dhe e përballimit të kostos përkatëse përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU III

STRUKTURAT E PLANIZIMIT DHE TË PËRBALLIMIT TË EMERGJENCAVE CIVILE NË NIVEL QARKU, BASHKIE DHE KOMUNE

Neni 13

Prefekti

1. Prefekti është përgjegjës për planizimin e emergjencave civile në qarkun përkatës.
2. Prefekti ka për detyrë:
a) të organizojë dhe të bashkërendojë punën për hartimin e planeve të përgatitjes për emergjencë civile në qark dhe për zbatimin e masave të mbrojtjes;
b) të grumbullojë dhe të përpunojë të dhënat e nevojshme nga bashkitë dhe komunat për

zbatimin e detyrave të planizimit dhe përballimit të emergjencave civile;
c) të ndjekë dhe të kërkojë nga organet vartëse skemat e lajmërimit dhe të funksionimit të tyre;
ç) të parashikojë burimet dhe rezervat e nevojshme materiale dhe financiare, për sistemimin e popullsisë në raste emergjence nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera;
d) të realizojë organizimin, bashkërendimin dhe pajisjen e forcave operacionale;
dh) të ndjekë realizimin e detyrave për lehtësimin e efekteve të emergjencës civile dhe për organizimin e ndërhyrjes për të vepruar;
e) të ndjekë riaftësimin nga fatkeqësitë natyre ose nga fatkeqësitë e tjera;
ë) të analizojë gjendjen e planizimit të emergjencave civile dhe të njoftojë Departamentin e Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile për emergjencat civile që ndodhin në qark;
f) të paraqesë kërkesë për ndihmë në qarqet fqinjë dhe në instancat qendrore nëse është e nevojshme.
g) të caktojë drejtuesin e operacionit për përballimin e emergjencës civile brenda qarkut të tij.

Neni 14

Organizimi në qark

1. Në çdo qark, nën drejtimin e prefektit, ngrihet një komision i qarkut me detyrë bashkërendimin e veprimtarive të autoriteteve të qarkut dhe të organizatave vullnetare.
2. Ministri i Pushtetit Vendor përcakton përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e këtij komisioni.
3. Prefekti mban regjistër për specialistët në qark, me të cilët ai këshillohet kur gjykohet e nevojshme.

Neni 15

Shërbimi i emergjencës civile

1. Në çdo qark, nën drejtimin e prefektit, funksionon shërbimi i emergjencës civile, si pjesë përbërëse e sistemit të planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile, në përputhje me përcaktimin e pikës 13 të nenit 2 të këtij ligji.
2. Rregullat, mënyra e funksionimit, të drejtat dhe detyrat, si dhe përgjegjësitë e shërbimit të emergjencës civile përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 16

Organizimi në bashki dhe në komunë

1. Kryetari i bashkisë ose kryetari i komunës është përgjegjës për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile në bashkinë dhe në komunën përkatëse.
2. Kryetari i bashkisë ose kryetari i komunës ka për detyrë:

a) të drejtojë organizimin dhe bashkërendimin e punëve për hartimin e planeve të përgatitjes për emergjencë civile në bashkinë dhe në komunën përkatëse dhe për zbatimin e masave të mbrojtjes;
b) të grumbullojë dhe të përpunojë të dhënat e nevojshme nga njësitë administrative të bashkisë dhe komunës për zbatimin e detyrave të planizimit dhe përballimit të emergjencave civile;
c) të organizojë sistemin e lajmërimit të popullatës për rrezikun dhe të kujdeset për funksionimin e mjeteve të lajmërimit;
ç) të parashikojë burimet dhe rezervat e nevojshme për sistemimin e popullatës në raste të emergjencës nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera;
d) të realizojë organizimin, bashkërendimin dhe pajisjen e forcave operacionale;
dh) të ndjekë realizimin e detyrave për lehtësimin e efekteve të emergjencës civile dhe për organizimin e ndërhyrjes për të vepruar;
e) të ndjekë riaftësimin nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera;
ë) të paraqesë kërkesë për ndihmë në bashkitë dhe komunat fqinje e në qark, nëse është e nevojshme;
f) të analizojë gjendjen e planizimit dhe të përballimit të emergjencës civile në bashki dhe komunë dhe të njoftojë në qark.
g) të zbatojë detyrat e caktuara nga strukturat e planizimit dhe të përballimit të emergjencave civile në nivel qendror;
gj) të caktojë drejtuesin e operacionit për përballimin e emergjencës civile në territorin e bashkisë ose të komunës.

Neni 17

Komisioni vendor për emergjencat civile pranë bashkisë ose komunës

1. Në çdo bashki ose komunë, nën drejtimin e kryetarit të bashkisë ose të komunës, krijohet komisioni vendor për emergjencat civile me detyrë bashkërendimin e veprimeve të autoriteteve të bashkisë ose komunës dhe organizatave vullnetare për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile në territorin e vet.
2. Ministri i Pushtetit Vendor përcakton kriteret për përbërjen dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të këtij komisioni.
3. Kryetari i bashkisë ose të komunës mban regjistër për specialistët në territorin e bashkisë ose komunës, me të cilin këshillohet kur është e nevojshme.

KREU IV

FORCAT E NDËRHYRJES

Neni 18

Strukturat operative të emergjencës civile

Organizimi i planizimit dhe i përballimit të emergjencave civile përfshin Shërbimin e Emergjencave Civile, Bazën e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, lloje të tjera të policisë së krijuara me ligj në varësi të emergjencës civile dhe organe të tjera të paparashikuara në këtë ligj, por që përfshihen në planet e emergjencave civile.

Neni 19

Baza e Mbrojtjes Civile

Në nivel kombëtar funksionon Baza e Mbrojtjes Civile si strukturë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo përdoret për shpëtimet e posaçme dhe operacionet e tjera urgjente si përforcim dhe për të siguruar një përgjigje të menjëhershme në emergjencat civile.

Neni 20

Përdorimi i Forcave të Armatosura për emergjencat civile

1. Kur shtrirja e një emergjence civile rritet në mënyrë të menjëhershme në ndihmë të operacioneve të shpëtimit dhe të lehtësimit në zonën e fatkeqësisë, me miratim të Kryeministrit ose të Ministrit të Mbrojtjes, mund të përdoren njësi të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas planeve të hartuara më parë në bashkëveprim me komandantët e tyre.
2. Kur njësitë e Forcave të Armatosura marrin pjesë në operacione, ato drejtohen nga komandantët e tyre sipas detyrave që marrin nga drejtuesi i operacionit të shpëtimit.

Neni 21

Policia e Shtetit

1. Policia e Shtetit organizohet dhe kryen detyrat e saj në operacionet e shpëtimit dhe të lehtësimit sipas planeve të hartuara më parë.
2. Detyrat e saj përfshin mbrojtjen e zonës së emergjencës civile, ruajtjen e rendit publik, procesin e identifikimit dhe të informimit rreth të dëmtuarve dhe të vdekurve, largimin e tyre nga zona e emergjencës, si dhe detyra të tjera që dalin në zbatim të ligjit nr.8553, datë 25.11.1999 “Për Policinë e Shtetit”.
3. Kur policia merr pjesë në operacionet e shpëtimit, forcat e saj komandohen nga eprorët e tyre, sipas detyrave që marrin nga drejtuesi i operacionit të shpëtimit.

Neni 22

Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi

Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi është pjesë përbërëse e forcave operacionale në gatishmëri të përhershme dhe vepron për shuarjen e zjarreve, për kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve në zonat e emergjencës civile dhe për lehtësimin e pasojave nga fatkeqësi të natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera.

Neni 23

Shërbimi i ambulancës

Shërbimi i ambulancës është pjesë përbërëse e forcave operacionale dhe vepron për dhënien e ndihmës së parë në zonën e emergjencës civile dhe për transportimin e të dëmtuarve për në qendrat spitalore.

Neni 24

Shërbimi vullnetar

1. Për përballimin e emergjencave civile organizohen dhe veprojnë shërbimet vullnetare.
2. Vullnetar mund të jetë çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, që ka kryer arsimin dhe trajnimin bazë në përgjigje të situatave të emergjencës ose pranon të marrë pjesë vullnetarisht për përballimin e emergjencës civile.
3. Për përballimin e emergjencave civile pranohen vullnetarë edhe shtetas të huaj.
4. Personat që vullnetarisht kërkojnë të marrin pjesë në operacionet e shpëtimit kanë këto të drejta:
a) Ruhet e vendi i punës.
b) Marrin pagesën e plotë nga punëdhënësi, qoftë ky edhe subjekt privat.
c) Në rast aksidenti ose h umbjeje jete gjatë veprimtarisë në emergjencat civile përfitojnë pension invaliditeti, sipas dispozitave në fuqi.

Neni 25

Bashkërendimi i ndihmave

Departamenti i Planizimit dhe i Përballimit të Emergjencave Civile bashkërendon ndihmat nga organizatat ndërkombëtare, nga organizatat joqeveritare dhe nga organizatat private vullnetare vendase dhe të huaja për përballimin e emergjencave civile.

KREU V

SUBJEKTET QË PËRFSHIHEN NË PLANIZIMIN DHE PËRBALLIMIN E EMERGJENCAVE CIVILE

Neni 26

Detyrimi i shtetasve

1. Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e Kushtetutës, detyrohet të marrë pjesë përballimin e emergjencave civile sipas një kërkese të Departamentit të Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile, të prefektit, të kryetarit të bashkisë ose të kryetarit të komunës.
2. Detyrimi për të marrë pjesë në përballimin e emergjencave civile fillon në moshën 18 vjeç dhe përfundon në moshën 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë.

Neni 27

Përjashtim nga detyrimi

Përjashtohen nga detyrimi për të marrë pjesë në operacionet e ndërhyrjes së emergjencave civile shtetasit:
a) që për arsye shëndetësore nuk mund të kryejnë detyrat e operacioneve të ndërhyrjes;
b) gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë me moshë deri në 10 vjeç;
c) prindër të vetëm me një fëmijë nën 10 vjeç.

Neni 28

Të drejtat e shtetasve

Shtetasit që shërbejnë në përballimin e emergjencave civile, për një kohë e cila nuk mund të jetë më e gjatë se sa periudha e situatës emergjente, gëzojnë të drejtat e parashikuara në nenin 24.

Neni 29

Personat fizikë dhe juridikë

1. Personat fizikë dhe juridikë, të cilët në veprimtarinë e tyre përdorin, prodhojnë, transportojnë ose magazinojnë substanca të rrezikshme, detyrohen të planifikojnë, të organizojnë dhe të realizojnë me shpenzimet e veta dhe të shtetit shërbimet për përballimin e emergjencave civile në zonën e tyre të veprimtarisë.
2. Personat fizikë dhe juridikë kanë për detyrë:
a) të hartojnë plane për situatat e emergjencës civile dhe të zbatojnë masat parandaluese në zonën e tyre të veprimtarisë;
b) të njoftojnë personelin si dhe autoritetet e bashkisë ose të komunës për një rrezik imediat;
c) të organizojnë, kur është e nevojshme, evakuimin e të punësuarve të tyre, dhe të venë në veprim shërbimin e tyre në përgjigje të një situate emergjence në zonën e tyre të veprimtarisë;

ç) të sigurojnë trajnimin për të punësuarit.
3. Këshilli i Ministrave përcakton me akt nënligjor substancat që përbëjnë rrezikshmëri për krijimin e situatave emergjente.

Neni 30 Detyrime të tjera
1. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, Departamenti i Planizimit dhe i Përballimit të Emergjencave Civile, prefektët dhe kryetarët e bashkive e të komunave planifikojnë dhe zbatojnë detyra për ngritjen e kulturës qytetare në përballimin e emergjencave civile.
2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës harton dhe miraton programet përkatëse për edukimin me elementet bazë të mbrojtjes në rastet e emergjencave civile.
3. Ky program fillon në arsimin 8-vjeçar dhe vazhdon deri në përfundimin e arsimit të lartë.

KREU VI FINANCIMI

Neni 31

Buxheti i shtetit

1. Buxheti i Shtetit është burimi parësor financiar për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile.
2. Në buxhetin vjetor të Ministrisë së Pushtetit Vendor, si dhe të çdo ministrie parashikohet, zë më vete, buxheti për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile.

Neni 32

Burime të tjera

Burime të tjera financimi mund të jenë:
a) Buxheti i Shtetit i planifikuar për Këshillin e Ministrave;
b) të ardhurat e pushtetit vendor;
c) të ardhurat e krijuara nga shërbimi për të tretët të cilat kalojnë tërësisht në buxhetin e tyre;
ç) donatorë të ndryshëm;
d) burime të tjera që i lejon ligji;

KREU VII

SANKSIONE

Neni 33

Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj

1. Mosrespektimi i detyrimeve që përcakton ky ligj, nga personat juridikë e fizikë, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 1 500 000 lekë nga strukturat operative të emergjencës civile, të cilat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Mosrespektimi i detyrimeve që përcakton ky ligj nga ana e individëve, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga 5 000 deri në 25 000 lekë.

Neni 34

E drejta për ankim

Subjekti i gjobitur mund të ankohet dhe të kërkojë shfuqizimin ose ndryshimin e vendimit që e dënon atë me gjobë, duke respektuar kërkesat Kodit të Procedurave Administrative përsa i përket të drejtës dhe procedurave të ankimit për aktin administrativ.

KREU VIII

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 35

Nxjerrja e akteve nënligjore

Këshilli i Ministrave, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr aktet nënligjore në zbatim të tij, në pajtim me parimet e përgjithshme të neneve 5, 6, 9, 14 dhe 26 të këtij ligji.

Neni 36

Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji dekreti nr.3824, datë 1. 12.1964 i Presidiumit të Kuvendit Popullor “Për mbrojtjen civile të Republikës”, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

Neni 37

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.2956, date 6.4.2001 te Presidentit te Republikës se Shqipërisë Rexhep Meidani

Copyright 2012 – www.ligjet.org