Rikonceptimi i Planit të Pastrimit dhe përmirësimi i menaxhimit të integruar të mbetjeve në qark
Prefekti i Qarkut Gjirokastër z. Odise Kote ka zhvilluar sot takimin me fokus “Rikonceptimi i Planit të Pastrimit dhe përmirësimi i menaxhimit të integruar të mbetjeve në qark.”
Në takim ishin të pranishëm drejtuesit e njësive vendore të qarkut si dhe drejtuesit rajonalë të IKMT, AdZM dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Prefekti i Qarkut KOTE ka kërkuar nga të gjithë drejtuesit rajonalë një qasje të re, vëmendje të shtuar në drejtim të mbrojtjes së mjedisit si dhe realizimin e objektivave të qarta në menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane dhe ekonomisë qarkulluese sipas standarteve të Bashkimit Europian.
Prefekti i qarkut Odise Kote ka kërkuar:
– hartimin dhe zbatimin e Planeve Vendore të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane të cilat duhet të bazohen mbi tarifimin e krijuesve të mbetjeve, parandalimin dhe nxitjen e sistemeve të ndarjes në burim të mbetjeve, riciklimit dhe kompostimit të mbetjeve organike;
– rritje të buxhetit të ardhshëm të bashkive mbi menaxhimin e mbetjeve i cili nuk duhet të kufizohet vetëm tek pastrimi dhe grumbullimi por edhe përfshirje e zërave të kostos të grumbullimit të diferencuar, riciklimit, rikuperimit, asgjesimit dhe transferimit të mbetjeve;
– kontroll të plotë mbi territorin duke eleminuar grumbullimet e paligjshme të mbetjeve dhe aplikimin e sanksioneve ndëshkuese mbi shkelësit e ligjit;
– eleminimin e plotë të fenomenit të djegies së mbetjeve urbane dhe aplikimin e sanksioneve ndëshkuese mbi ndotjen e mjedisit;
– sigurimi i lehtësive për mbetjet e rrezikshme, ato mjekësore dhe mbetjet ndërtimore;
– aksion i përditshëm pastrimi në çdo bashki i përqëndruar në zonat e nxehta mjedisore sidomos përgjatë përrenjve dhe brigjeve lumore;
Në përfundim të takimit Prefekti i Qarkut ka theksuar rëndësinë e Edukimit si një proces mjaft të rëndësishëm, mobilizimin e përbashkët për arritje të mëtejshme në sektorin e menaxhimit të integruar të mbetjeve ku fokusi në vazhdimësi do të jetë zbatimi i iniciativave të qeverisë shqiptare, që kanë në thelb mirëqënien e përbashkët për përdorimin racional të mjedisit, reduktimin e nivelit të mbetjeve si dhe parandalimin e dëmtimit të tij, duke mbrojtur njëkohësisht shëndetin tonë e të brezave.