Memorandum bashkëpunimi me Bashkitë dhe Institucionet ligjzbatuese
Prefekti i Qarkut Gjirokastër z Odise Kote ka zhvilluar sot takimin e parë koordinues me të gjitha strukturat vendore për nxitjen dhe zbatimin e planit të veprimit për sezonin e ri veror turistik, në kuadër të zbatimit të Urdhrit nr. 115, datë 14.05.2021 të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik (KMST)”.
Të pranishëm në takim ishin Drejtori i Drejtorisë së Koordinimit dhe Monitorimit të Prefekturave pranë Ministrisë së Brendshme znj. Alma Mele, Drejtori i Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive për Çështjet Vendore në Ministrinë e Brendshme z. Arben Xhaferi, kryetarët e njësive të vetëqeverisjes vendore të qarkut si dhe drejtues të institucioneve vendore përgjegjëse për mbrojtjen e territorit dhe zhvillimin e turizmit në qark.
Në përmbushje të detyrimeve në zbatim të Ligjit nr. 107/2016 “Për Prefektin e Qarkut”, pranë Prefektit të Qarkut Gjirokastër është ngritur dhe po funksionon Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit, në zbatim edhe të Planit të Veprimit për Zhvillimin e Turizmit për vitin 2021.
Nga ana e të gjitha njësive të vetëqeverisjes vendore të qarkut janë marrë masat e duhura organizative dhe infrastrukturore si dhe po punohet për hartimin e një Plani-Kalendar konkret i cili synon rigjallërimin e sektorit të turizmit si një nga sektorët më prioritarë në drejtim të zhvillimit ekonomik.
Një pikë kyçe e këtij takimi ishte edhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, ndërmjet institucioneve vendore me përgjegjësi të drejtpërdrejtë në ruajtjen e tyre dhe konkretisht, ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore në qark, Drejtorisë Vendore të Policisë, Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare si dhe Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura.
Gjatë këtij takimi, Prefekti i Qarkut ka ritheksuar edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet aktorëve kryesorë vendorë, si një praktikë e domosdoshme për realizimin e qëllimeve të përbashkëta në kuadër të administrimit dhe kontrollit të territorit.