Aktivitet me rastin e 7 marsit
7 mars – Ditë e Ndërgjegjes Kombëtare!
Me rastin e festës së 7 Marsit, prefekti i qarkut Gjirokastër z. Odise Kote organizoi disa takime me mësues veteranë si një homazh dhe vlerësim për punën dhe përkushtimin e arsimtarëve në edukimin e brezave. Në këto takime ishte i pranishëm edhe ministri i brendshëm z. Bledi Cuçi.
Ministri Bledi Cuçi në fjalën e tij u shpreh: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”, thotë një shprehje e Konfucit, prandaj sa herë vjen 7 marsi një vend të veçantë për t’i shprehur mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm ka edhe për mësuesit e dalë në pension. Me disa prej tyre në Gjirokastër pata sot një takim jo thjesht për t’i uruar, por edhe për të shkëmbyer mendime se çfarë mund të bëjmë më mirë, çfarë mund të korrigjojmë apo përmirësojmë që fëmijët tanë të kenë një edukim gjithmonë e më cilësor. Mësuesit janë legjionarë të dijes, me një mision të pakrahasueshëm në shoqëri. Përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” siguruam punësim të mësuesve nëpërmjet meritës, duke shmangur nepotizmin dhe ndikimin e politikës. Vetëm gjatë mandatit të dytë qeverisës ne kemi rritur 3 herë pagën e mësuesve dhe punonjësve në arsim. Mandati i tretë i takon PS-së, por nuk është thjesht për PS-në. I takon Shqipërisë që duam! S’ka kohë për të humbur, s’ka kohë për pushim!