Takim në kuadër të javës së gjuhës italiane në botë
Në kuadër të Javës XX të gjuhës italiane në botë “Italishtja midis fjalës dhe imazhit: grafikat, ilustrimet etj. 19-25 tetor 2020” Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj priti në një takim Ambasadorin e Italisë në Shqipëri z. Fabrizio Bucci dhe konsullin e Nderit të Italisë në Gjirokastër z. Teodor Bilushi.
Në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve, gjatë takimit është vendosur theksi në projektet e realizuara në qarkun e Gjirokastrës falë këtyre marrëdhënieve të bashkëpunimit, kontributit të përfaqësive diplomatike italiane në qark si dhe shtimit të aktiviteteve kulturore të organizuara në qarkun Gjirokastër. Ndër të tjera, Prefekti i qarkut përmendi eksperiencën e suksesshme të Seksioneve Europiane të gjuhës italiane në shkolla duke sugjeruar edhe vazhdimësinë e implementimit të këtyre projekteve produktive.
Nga ana e tij, ambasadori italian z. Fabrizio Bucci u shpreh i kënaqur ndaj angazhimit të institucionit të Prefektit dhe ofroi gatishmërinë për një bashkëpunim më të ngushtë dhe mbështetje të plotë nga pala italiane në fusha të ndryshme në interes të komunitetit të qarkut Gjirokastër.