Takim për ndjekjen e problematikave të ngritura për ndërtimin e ujësjellësit të ri në njësinë administrative Lazarat
Në vazhdimësi të ndjekjes së problematikave të ngritura nga shoqata atdhetare kulturore “Lazërati” lidhur me cilësinë e punimeve që po kryhen për ndërtimin e ujësjellësit të ri në njësinë administrative Lazarat, me autoritet kontraktor bashkinë Gjirokastër, Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ka organizuar një takim sqarues me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqatës “Lazërati” dhe përfaqësuesve të firmës zbatuese “B93-II” shpk dhe asaj supervizore “Arena MK” shpk.
Lidhur me shqetësimet e ngritura për përmbushjen e parametrave teknikë të projektit, nga ana e administratorit të firmës zbatuese është bërë e ditur se janë duke u ndjekur me përpikmëri specifikimet teknike sipas projektit fitues, ku është parashikuar ndërtimi i një depo të re uji 200 m3, rikonstruksion i tre depove egzistuese si dhe ndërtimi i tre stacioneve pompimi që do të furnizojnë me ujë çdo banesë të pajisur me sahate personale matjeje.
Lidhur me kërkesën e shoqatës për zotërim të kopjes së projektit fitues është dakortësuar nga të dya palet që në një takim të afërt do të njihen edhe me specifikat e projektit në mënyrë të detajuar.
Nga ana e administratorit të firmës zbatuese është ofruar gjithë mbështetja dhe mirëkuptimi për sqarimin e çdo kërkese në drejtim të zbatimit të punimeve referuar projektit apo paqartësive që mund të ketë komuniteti në vazhdimësi.
Në fjalën e tij, Prefekti i qarkut ka bërë të ditur se do të ndjekë nga ana institucionale mbarëvajtjen e projektit për çdo problematikë që do të ketë në vazhdimësi nga komuniteti i zonës si dhe ka sugjeruar që të shikohet mundësia për punësimin sezonal të personave që janë banorë të njësisë administrative Lazarat.