Takim në kuadër të masave anti Covid-19 nga strukturat arsimore parauniversitare për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj zhvilloi një takim në kuadër të masave anti Covid-19 që do merren nga strukturat arsimore parauniversitare për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, në përputhje me udhëzuesin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në këtë takim ishin të pranishëm drejtoreshë e ZVAP Gjirokastër-Libohovë-Dropull znj. Albana Hasanaj, drejtor i ZVAP Përmet-Këlcyrë z. Ferit Jashari, përfaqësues i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër z. Altin Demiraj dhe drejtori i NJVKSH Gjirokastër z. Shpëtim Novi.
Prefekti i qarkut Gjirokastër fillimisht bëri një vlerësim të situatës epidemiologjike në qark si dhe theksoi se është përgjegjësi nga institucionet, për garantimin e masave të distancimit social dhe protokolleve të sigurisë, të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore.
Nga ana e drejtuesve të ZVAP Gjirokastër dhe Përmet u shprehën se po punojnë për skenarët se si do të zhvillohet mësimi në shkolla dhe masat që do merren në mënyrë që të mos lejohet përhapja e Covid-19 në institucionet e arsimit. Skenarët janë të ndryshëm në varësi të numrit të nxënësve për shkollë pasi ka shkolla, të cilat mund të vijojnë mësimin normalisht duke ruajtur distancimin social për shkak se ka pak nxënës.
Nga ana e drejtorit të NJVKSH Gjirokastër Z. Novi u theksua se për hapjen e shkollave të vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë.
Në përfundim, Prefekti z. Aliaj kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha institucionet përkatëse për zbatimin rigoroz të të gjitha masave të përcaktuara në udhëzuesin e MSHMS me qëllim që procesi mësimor gjatë kësaj periudhe të zhvillohet sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit.