Ceremonia përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të rënies së heroit të popullit Selam Musa Salaria
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ishte i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në qytetin e Tepelenës me rastin e 100-vjetorit të rënies të heroit të popullit Selam Musa Salaria.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin gjithashtu kryetari i bashkisë Tepelenë z. Tërmet Peçi, nënprefekti z. Avni Lala si dhe veteranë. Ceremonia filloi me vendosjen e kurorave me lule pranë bustit të Heroit të Popullit Selam Musa Salaria.
Selam Musai lindi më 1860 në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike që i ri u dallua në fshat për guximin dhe ndjenjat patriotike. Heroi u rreshtua përkrah Qeverisë së Ismail Qemalit së bashku me çetën e Salarisë në mbrojtje të Janinës si dhe mori pjesë në Luftën Kombëtare të Vlorës 1920 si komandant i çetës së Salarisë dhe taborreve të Tepelenës. Selam Musai dha jetën për çlirimin e vendit më 12 qershor 1920, duke u bërë simbol i patriotizmit dhe heroizmit popullor të Labërisë e mbarë Shqipërisë.
Në fjalën përshëndetëse Prefekti i qarkut vlerësoi rolin dhe kontributin e heroit të popullit që dhe pse vitet kalojnë, sakrifica sublime dhe akti i përmasave legjendare të këtij burri me zemër graniti, mbetet burim frymëzimi dhe etalon i dashurisë për atdheun.