Investimet përgjatë bypass-it të Tepelenës
Prefekti i qarkut z. Astrit Aliaj është ndalur edhe përgjatë bypass-it të Tepelenës për të parë nga afër zhvillimin e punimeve në një nga investimet më të rëndësishme të rajonit jugor në vend.
Siç bëri të ditur edhe inxhinieri i firmës kontraktuese në kantier ing. Ladi Lala, aktualisht po vazhdojnë punimet për përfundimin e ndërtimeve në këtë aks, rreth 2.4 km me dy korsi nga 3.7 m, i realizuar në masën 90% të tij. Mbetet ende për t’u vënë në zbatim nyja 3 e këtij aksi, që pritet të përfundojë pasi të mbyllen edhe procedurat e fundit të shpronësimit në zonën përgjatë aksit.
Prefekti i qarkut është shprehur i kënaqur me ecurinë e punimeve deri më tani në kantier dhe përfundimin e kesaj vepre të rëndësishme infrastrukturore sa më shpejt, duke krijuar kështu mundësinë për investime të reja në sektorin e turizmit në zonë.
Bypass-i i Tepelenës lidh dy segmente të rëndësishme, atë të Levan-Tepelenë dhe Tepelenë-Kakavijë, duke lehtësuar qarkullimin në këtë aks me përdorim maksimal si dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të zonës.