Takim me drejtorin e Filialit të Postës Shqiptare Gjirokastër
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ka zhvilluar një takim me drejtorin e Filialit të Postës Shqiptare Gjirokastër z. Ismail Zeko dhe punonjës të tjerë të administratës së këtij institucioni lidhur me veprimtarinë e kryer gjatë periudhës së pandemisë.
Prej 36 zyrave postare të qarkut Gjirokastër është ofruar dorëzimi në banesë i pensioneve dhe jo vetëm. Pagesa e ndihmës ekonomike, pagesa e paaftësisë, faturat e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm janë dorëzuar në banesë për më shumë se 20 000 pensionistë përgjatë periudhës së pandemisë, me qëllim mos rrezikimin e shëndetit të të moshuarve. Sipas drejtorit të filialit z. Zeko edhe për muajin qershor pagesat do të dorëzohen në banesë, duke evituar krijimin e radhëve të gjata në sportelet e zyrave postare.
Në fjalën e tij Prefekti i qarkut vlerësoi së tepërmi dhe falenderoi punonjësit e Filialit të Postës Shqiptare në qarkun e Gjirokastrës, të cilët me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar prej virusit COVID-19 kanë vijuar dhënien e shërbimit në banesë ndaj pensionistëve. Ashtu si mjekët dhe infermierët, punonjësit e Filialit të Postës Shqiptare në qarkun e Gjirokastrës kanë qenë në vijën e parë të luftës duke punuar me dinjitet dhe standarde të larta shërbimi.