Takim me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ka zhvilluar një takim pune me z. Florian Taçi, drejtorin e Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër, e cila ushtron veprimtarinë e saj në mbështetje të ligjit 111/2018 “Për Kadastrën” si bashkim i dy institucioneve (ish-ZVRPP Gjirokastër dhe ish-Drejtoria e ALUIZNI-t Gjirokastër), lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni.
Gjatë këtij takimi është diskutuar mbi problematikat e hasura prej implementimit të dispozitave të reja për organizimin dhe funksionimin e kësaj drejtorie, të cilat konsistojnë në ofrimin e shërbimeve në mënyrë elektronike. Sipas drejtorit të këtij institucioni, procedura online do të lehtësojë jo vetëm një pjesë të procesit të punës së administratës së ASHK-së, por do t’iu vijë në ndihmë edhe qytetarëve duke iu ofruar një shërbim të shpejtë dhe cilësor.
Prefekti i qarkut përgëzoi punën e bërë nga ana e administratës së këtij institucioni sidomos përgjatë periudhës së pandemisë ndërsa është ndalur edhe tek problematika e legalizimit të ndërtimeve të reja shtesë në banesat e vjetra karakteristike gjirokastrite, për të cilën pritet dalja e një udhëzimi mbi mënyrën se si qytetarët e interesuar do të procedojnë për legalizimin e tyre.