Takim me ambasadorin e Italisë në Shqipëri z. Fabrizio Bucci
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ka pritur në një takim ambasadorin e Italisë në Shqipëri z. Fabrizio Bucci.
Prefekti i qarkut i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re ambasadorit z. Bucci, në krye të Ambasadës Italiane në vendin tonë. Z. Aliaj vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë, veçanërisht gjatë kësaj situate të krijuar nga pandemia globale Covid-19.
Në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve, Prefekti vuri theksin në lidhjet historike të Gjirokastrës me Italinë, raportet ndërinstitucionale, projektet e realizuara falë këtyre marrëdhënieve bashkëpunimi, kontributin nga përfaqësitë diplomatike në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në qarkun Gjirokastër, etj.
Nga ana e tij, ambasadori italian z. Bucci pasi falënderoi prefektin z. Aliaj për pritjen tepër miqësore dhe vlerësoi me nota pozitive bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve në fusha të ndryshme. Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën bindjen e plotë se me anë të mbështetjes së vazhdueshme do të mund të realizohen bashkëpunime të suksesshme dypalëshe në interes të përbashkët si dhe që do të ndihmojnë vendin tonë për integrimin në familjen e madhe europiane.