Takim në pikën kufitare të Kakavijës

Është zhvilluar takimi i përbashkët në pikën kufitare të Kakavijës në kuadër të përforcimit të marrjes së masave për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së sëmundjes virale të Corona-Virus, me pjesëmarrjen e Prefektit të qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj, drejtorit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor z.Shpëtim Novi, nëndrejtorit të spitalit Rajonal “Omer Nishani” z. Roland Karalli, drejtorit të pikës kufitare Kakavie z. Juljan Çollaku, dhe komandatit të drejtorisë rajonale për kufirin dhe Migracionin z.Vilson Dine.
Në fjalën e tij, Prefekti i qarkut u shpreh se pas evidentimit të gjendjes së Corona-Virusit në Itali, duhet të përforcojmë masat parandaluese në të gjithë aspektet e sistemit shëndetësor.
Nga ana e drejtorit të NJVKSH Gjirokastër z. Novi është cilësuar fakti se personeli shëndetësor i vendosur në këtë pikë është i pajisur me mjetet e nevojshme si: maska mbrojtëse respiratore, termometra digjital, medikamente si dhe janë shpërndarë materiale informuese mbi masat e shtuara higjieno-sanitare që komuniteti duhet të aplikojë për të zvogëluar rrezikun e marrjes së këtij virusi. Nga ana e drejtuesit të pikës së kalimit kufitar Kakavie dhe të drejtorisë rajonale për Kufirin dhe Migracionin është vënë theksi në shtimin e masave momitoruese dhe kontrolluese dhe në kontaktin e vazhdueshëm me struktura të tjera përgjegjëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri.
Në përfundim të këtij takimi, z.Aliaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha strukturave për të rritur kontrollin dhe për të bërë të mundur parandalimin e depërtimit të Corona-Virus në vendin tonë. Gjithashtu, nga të pranishmit është inspektuar nga afër puna dhe procedurat standarde që kryhen ndaj qytetarëve përpara hyrjes në vendin tonë, me qëllim identifikimin e rasteve të mundshme të prekura nga Corona-Virus.