Task-Forca ndërinstitucionale e sezonit turistik veror 2024
Prefekti i Qarkut Gjirokastër z. Odise Kote zhvilloi ditën e sotme takimin e parë në zbatim të urdhrit të Kryeministrit Nr. 69, datë 30.04.2024 “Për ngritjen e Task-Forcës Ndërinstitucionale të sezonit turistik veror 2024” me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve shtetërore në nivel vendor.
Qëllimi i këtij takimi ishte trajtimi i çështjeve të përbashkëta që kanë të bëjnë me menaxhimin me sukses të sezonit turistik veror 2024 si dhe prezantimi i Plan-Veprimit për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2024.
Në fjalën e tij, Prefekti i Qarkut z. Kote u shpreh se objektivi i qeverisë shqiptare për një rritje të numrit të vizitorëve me 40 – 50% më shumë se një vit më parë, na paracakton për secilin prej nesh një varg përgjegjësish e detyrash konkrete, si dhe organizim e funksionim si një ekip i vetëm me synim krijimin e kushteve optimale për një sezon të mbarë, pa problematika dhe me të arritura të bollshme në lëmi të ekonomisë rajonale.
Ndër të tjera, Prefekti theksoi disa nga detyrat më të rëndësishme për t’u zbatuar, si kontrolli mbi të gjithë territorin, siguri publike në terren, siguri të lartë shëndetësore, ushqimore, qarkullim të lirë në të gjithë akset, rrugët rurale, shtigjet turistike, zbatimi i rregulloreve për ndotjet akustike, oraret e funksionimit të lokaleve, furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, energji elektrike, kushte maksimale për ushtrimin e veprimtarisë turistike, mbrojtje dhe mbështetje për të gjithë operatorët turistikë dhe bizneset e tyre.
Në përfundim të takimit, Prefekti i Qarkut kërkoi përqëndrim maksimal e punë konkrete në shërbimin ndaj qytetarëve, vizitorëve vendas e të huaj, bizneseve për një sezon turistik veror sa më të sigurt dhe të suksesshëm.