Prezantimi i strukturës së posaçme operacionale “Shqiponja”
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ishte i pranishëm në aktivitetin e prezantimit të strukturës së posaçme operacionale “Shqiponja”. Të pranishëm ishin ministri i Brendshëm Z. Sandër Lleshaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryetarja e Këshillit të Qarkut, kryetarët e bashkive, drejtues dhe efektiv të Policisë Vendore të Qarkut.
Në fjalën e tij Prefekti i qarkut falenderoi dhe vlerësoi strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së qarkut Gjirokastër, të cilat janë të angazhuara maksimalisht me profesionalizëm në përmbushje të detyrave të tyre, duke fokusuar vëmendjen sidomos në garantimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm z. Lleshaj u shpreh se Policia e Shtetit është arma jonë në luftën kundër krimit. Gjithashtu, z. Lleshaj nënvizoi se struktura e re do të ngrejë më lart imazhin e Policisë së Shtetit duke forcuar më tej marrëdhënien e saj me komunitetin dhe rritur më shumë efektivitetin e saj në luftën kundër krimit dhe do të shërbeni më mirë për të vendosur parametra më të larta të rendit dhe sigurisë publike. Në përfundim, Prefekti Z. Aliaj uroi suksese strukturës operacionale “Shqiponja”, si një strukturë elitë e përbërë nga djem e vajza më të mirë, të cilët janë të trajnuar dhe të stërvitur më së miri që do të rritin efektivitetin e misionit të Policisë së Shtetit.