Shërbim cilësor, përkushtim e profesionalizëm për qytetarin
Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Odise Kote në analizën vjetore të veprimtarisë së institucionit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër, zhvilluar në ambientet e këtij institucioni ka kërkuar një qasje të re, në përputhje me objektivat e qeverisë, sipas standarteve mē të pērparuara europiane.
Gjatë analizës vjetore të punës së NJVKSH-së, drejtori i këtij institucioni z. Shpëtim Novi prezantoi një përmbledhje të punës së bërë, u analizuan treguesit shëndetësorë, si dhe u diskutua mbi realizimin e detyrave dhe objektivave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Gjithashtu z. Novi përmendi disa problematika të evidentuara përgjatë vitit 2022 si mungesa e personelit resident në disa zona të thella, mungesa e disa ekzaminimeve për disa sëmundje kronike dhe mungesa e një aparati për testin ELISA në laboratorin bakterologjik, etj.
Prefekti i qarkut z. Odise Kote në fjalën e tij falenderoi për punën e bërë gjatë këtij viti, stafin e kësaj drejtorie po ashtu dhe stafin e qendrave shëndetësore nën juridiskion të NJVKSH Gjirokastër. Ndër të tjera, Prefekti i qarkut z. Kote kërkoi një vëmendje të shtuar ndaj nevojave më të domosdoshme të komunitetit me anë të ofrimit të shërbimit mjekësor parësor si mision, etikës profesionale dhe bashkëpunimit me komunitetin me qëllim garantimin e një shërbimi shëndetësor cilësor për komunitetin e qarkut Gjirokastër.