Aktivitet me rastin e 140 vjetorit të lindjes së “Heroit të Popullit”
Në vazhdën e aktiviteteve festive të organizuara me rastin e 140 vjetorit të lindjes së “Heroit të Popullit” Çerçiz Topulli, Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ishte i pranishëm në ekspozitën historike “Çerçiz Topulli më thonë”, e zhvilluar në ambientet e Kalasë së Gjirokastrës. Të pranishëm ishin kryetarja e Këshillit të qarkut Gjirokastër, kryetari i bashkisë Gjirokastër, familjarë dhe pjesëmarrës të tjerë. Gjatë kësaj ekspozite, dedikuar për heroin Çerçiz Topulli u prezantuan portrete, dokumente, si dhe foto nga momente historike gjatë veprimtarisë të tij dhe të bashkëluftëtarëve. Ekspozita ishte përgatitur nga studiuesi dhe koleksionisti z. Niko Kotherja. Këto aktivitete të organizuara nga bashkia Gjirokastër do të vijojnë gjatë ditës së sotme si dhe në ditët në vijim në kuadër të javës së trashëgimisë kulturore. Në fjalën e tij përshëndetëse, Prefekti i qarkut vlerësoi aktivitetet e tilla, të cilat shërbejnë për nderimin dhe përkujtimin me dinjitet të veprës së heroit Çerçiz Topulli, i cili duhet të respektohet përherë në kujtesën e brezave që do vijnë.