Takim me Konsullin e Përgjithshëm të Greqisë në Gjirokastër

Prefekti i Qarkut Gjirokastër ka pritur në një takim të fundit zyrtar Konsullin e Përgjithshëm të Greqisë në Gjirokastër z. Lambros Kakissis me rastin e përfundimit të detyrës së ngarkuar në krye të këtij institucioni. Prefekti i qarkut z. Astrit Aliaj ka falenderuar z. Kakissis për punën e kryer dhe kontributin e dhënë me vlera të shtuara në drejtim të rritjes së bashkëpunimit ndërkufitar dhe forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë Shqipëri – Greqi. Duke e falenderuar edhe për iniciativat personale në drejtim të kontributit në arsim, kulturë dhe përballimit të emergjencave civile në qarkun e Gjirokastrës, Prefekti i qarkut ka uruar suksese të mëtejshme në detyrën e re të ngarkuar, me besimin se do të jetë po kaq kuptimplotë dhe e rëndësishme në ndërtimin e marrdhënieve ndërkombëtare. Në fjalën e tij z. Kakissis është shprehur se këto dy vite në drejtim të konsullatës greke ka qenë një periudhë e mbushur me sfida, përgjegjësi dhe angazhim të lartë për realizimin e detyrave të ngarkuara duke u ndarë me përshtypjet më të mira për Prefektin e qarkut z. Aliaj, stafin e konsullatës me të cilin ka bashkëpunuar gjatë kësaj kohe dhe për të gjithë banorët e qarkut dhe minoritetit grek në veçanti.