Takimi i jashtëzakonshëm i Komisionit të Mbrojtjes Civile
Është zhvilluar takimi i jashtëzakonshëm i Komisionit të Mbrojtjes Civile të qarkut Gjirokastër në kuadër të marrjes së masave dhe menaxhimit të situatës së krijuar në PKK Kakavijë si pasojë e radhëve të gjata të shtetasve shqiptarë, të cilët kthehen në shtetin grek në vendet e tyre të punës.
Në këtë takim kanë marrë pjesë Ministri i Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka si ministër i caktuar për menaxhimin e kësaj situate të vështirë. Gjithashtu në këtë takim kanë qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Agjensisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Haki Çako, drejtori Rajonal i Kufirit dhe Migracionit, Drejtori Vendor i Policisë, kryetarët e bashkisë Dropull dhe Gjirokastër, drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër si dhe drejtues të instiucioneve shtetërore.
Prefektit i qarkut në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes Civile për qarkun Gjirokastër ka ndjekur dhe monitoruar situatën e krijuar duke koordinuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore, njësive vendore Dropull dhe Gjirokastër si dhe ka bashkëpunuar me bizneset që operojnë në bashkinë dropull për furnizimin e qytetarëve me ujë dhe ushqime, të cilët janë në pritje për të kaluar në shtetin grek. Me kërkesë të ministres së Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka nga Agjensia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në ndihmë të shtetasve shqiptarë që presin të kalojnë kufirin kanë mbërritur pako ushqimore e llogaritur për rreth 1500 persona.
Nga ana e komunitetit të Gjirokastrës dhe Dropullit janë ofruar ndihma ushqimore dhe ujë i pishëm për përballimin e temperaturave të larta duke qenë se midis shtetasve të cilët ndodhen në radhë për të kaluar, ka persona të moshuar dhe fëmijë. Nga ana e bashkive Dropull dhe Gjirokastër po merren masa duke patur në gadishmëri stacionet e MZSH-ve si dhe punonjës të shërbimeve të cilët janë në çdo moment në gadishmëri për përballimin e kësaj situate të vështirë.
Prefektit i qarkut do të ndjekë në vazhdimësi situatën emergjente në terren dhe do të mbajë kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet shtetërore për menaxhimin sa më mirë të saj.