Seminari i trajnimit me specialistët e emergjencave civile të bashkive të qarkut
Në zbatim të programit vjetor të punës të institucionit të Prefektit të qarkut është zhvilluar seminari i trajnimit me specialistët e emergjencave civile të bashkive të qarkut.
Qëllimi i këtij seminari ishte hartimi i planeve vendore të emergjencave civile sipas kërkesave të ligjit nr. 45, datë 18.07.2019 “Për Mbrojtjen Civile “, në mënyrë që të përcaktohen masat dhe aktivitetet për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive si dhe kapacitetet, angazhimi dhe veprimi i organizuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Në fjalën e tij Prefekti i qarkut z. Astrit Aliaj theksoi se hartimi dhe miratimi i këtyre planeve është hapi parë për t’u kryer sa më shpejtë të jetë e mundur, sepse fatkeqësitë e natyrës janë krejtësisht të papritura. Midis të tjerash, Prefekti i qarkut foli edhe për rëndësinë e këtyre planeve përpara fatkeqësive në mënyrë që planifikimi paraprak të sigurojë ndërmarrjen nga ana e bashkive të të gjithë hapave të nevojshëm për t’u përgatitur për një emergjencë dhe për të zvogëluar dëmet në njerëz e infrastrukturë.
Gjithashtu është vënë në dukje se gjatë hartimit të këtij plani emergjent është i nevojshëm angazhimi i strukturave përgjegjëse në bashki duke u koordinuar edhe me strukturat qendrore e subjektet private. Në përfundim të këtij seminari janë lënë detyrat me afate konkrete që nga përgatitja e urdhërave deri tek miratimi i planeve me vendim të këshillave bashkiakë.