Kontroll në fshatin Allkometaj kundër kultivimit të bimëve narkotike
Në vazhdën e takimeve në qark, në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike Prefekti i qarkut z. Astrit Aliaj i është bashkuar grupit të kontrollit të Komisariatit të Policisë Tepelenë, me përfaqësues edhe nga bashkia Memaliaj, për kontrollin e një nga zonave me riskun më të lartë në këtë bashki, të Njësisë Administrative Krahës, në fshatin Allkometaj.
Grupet e kontrollit, edhe pse të ndodhur përpara një terreni të vështirë, kanë arritur të kontrollojnë çdo sipërfaqe të zonave të dyshuara nëpërmjet dronit, fotografimit nga lartësia dhe përcaktimit të pozicioneve të sakta gjeografike.
Prefekti i qarkut është shprehur se kjo luftë nuk mund të fitohet vetëm me përpjekjet e Policisë së Shtetit por duhet një bashkëpunim i ngushtë i të gjithë institucioneve vendore pjesë e kësaj Task Force Vendore. Një detyrë e rëndësishme i takon Njësive të Vetëqeverisjes Vendore në qark dhe në veçanti Administratorëve të Njësive Administrative sëbashku me kryepleqtë e fshatrave si përgjegjës kryesorë të aseteve si pyje, kullota, musha dhe burimeve ujore, për monitorimin, kontrollin dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit në zonat me risk të lartë.
Në përfundim të kontrollit, Prefekti i qarkut zhvilloi edhe një takim me disa prej banorëve të fshatit prej të cilëve ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre për të përmbushur me sukses luftën kundër këtij fenomeni të rrezikshëm.